Manifesto

PUNA E DENJЁ
Për Rajonin e Ballkanit Perëndimor

Duke njohur nevojën urgjente për t’i adresuar çështjet themelore të punës dhe ato sociale në Ballkanin Perëndimor, ne, organizatat e poshtëshënuara, qëndrojmë të bashkuar në zotimin tonë për promovimin e punës së denjë për të gjithë. Vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me një sërë sfidash të ndërlidhura që minojnë mirëqenien e punëtorëve dhe qëndrueshmërinë e shoqërive tona. Këto sfida përfshijnë:

1. Varfërinë: Varfëria e përhapur në shkallë të gjerë mbetet një shqetësim serioz në rajonin tonë, pasi një pjesë e madhe e popullsisë përballet me vështirësi të mëdha për të plotësuar nevojat bazike. Kjo situatë riprodhon rritjen e pabarazisë dhe pengon progresin shoqëror.

2. Pagat e ulëta: Shumë punëtorë në Ballkanin Perëndimor përballen me barrën e shpërblimit jo adekuat, i cili nuk arrin t’u siguroj një standard të dinjitetshëm jetese. Pagat e ulëta, jo vetëm që shtojnë varfërinë, por gjithashtu mirëmbajnë edhe padrejtësitë shoqërore.

3. Vende të punës me cilësi të ulët: Një pjesë e madhe e fuqisë punëtore në rajonin tonë është e mbërthyer në kurthin e punësimit të përkohshëm të karakterizuar nga informaliteti, mungesa e mbrojtjes sociale dhe mundësitë e kufizuara për përparim profesional. Këto lloj punësh me cilësi të ulët kontribuojnë në ciklin e varfërisë dhe i pengojnë punëtorët për të përmbushur potencialin e tyre.

4. Puna e përkohshme dhe e pasigurtë: Puna e përkohshme është kthyer në normë për shumë punëtorë, me pak ose aspak siguri në punë, me qasje të kufizuar në skemat e mbrojtjes sociale dhe kushte të rrezikshme të punës. Ky mjedis shfrytëzues rrezikon shëndetin dhe sigurinë në punë, mirëqenien dhe të ardhmen e punëtorëve.

5. Varësia nga Investimet e Huaja Direkte: Ndonëse Investimet e Huaja Direkte mund ta luajnë një rol në zhvillimin ekonomik, ne kemi vërejtur një prirje shqetësuese në mbipeshën e këtyre investimeve në rajonin tonë. Kjo varësi krijon gjendje të përkeqësuar, pasi kompanitë shpesh u japin përparësi fitimeve përkundër të drejtave të punëtorëve, duke nxitur praktika shfrytëzuese dhe kontroll lokal të kufizuar në lidhje me vendimmarrjet ekonomike.

6. Gara drejt fundosjes: Konkurrenca e ashpër mes vendeve për të tërhequr investime ka rezultuar në uljen e standardeve, ku qeveritë dhe kompanitë janë përfshrë në çrregullim, uljen e standardeve të punës dhe dobësimin e mbrojtes sociale. Kjo garë minon të drejtat e punëtorëve, nxit punësimin e përkohshëm dhe mbyt mundësinë e zhvillimit të qëndrueshëm.

Në dritën e këtyre sfidave, ne qëndrojmë të bashkuar në zotimin tonë për të mbërritur punë të denjë për të gjithë në Ballkanin Perëndimor. Në besojmë me vendosmëri se bashkëpunimi rajonal dhe solidariteti janë thelbësor për t’i adresuar në mënyrë efektive këto çështje. Ne u bëjmë thirrje qeverive, autoriteteve vendore, sindikatave dhe kompanive që veprojnë në rajonin tonë, të na bashkohen në përpjekjet e mëposhtme:

1. Paga të Dinjitetshme: Qeveritë duhet ta përmbushin detyrimin që të gjithë punëtorët të përfitojnë paga të cilat u mundësojnë atyre një mënyrë të denjë jetese. Kompanitë duhet të zotohen për shpërblime të ndershme dhe të drejta të punës, duke vlerësuar kontributin e të punësuarve të tyre. Kjo sjell domosdoshmërinë e rishpërndarjes së pasurisë dhe ngritjen e sistemeve të pagave që bazohen në drejtësi e barabarësi, të cilat i japin përparësi mirëqenies së punëtorëve përkundrejt fitimeve të korporatave. Punëtorët duhet të fitojnë mjaftueshëm për të përmbushur nevojat bazike dhe ekzistenciale, si për vete ashtu edhe për familjet e tyre.

2. Mbrojta Sociale: Qeveritë duhet të vendosin sisteme të shëndosha të mbrojtjes sociale, të cilat mbrojnë të drejtat e punëtorëve, por gjithashtu i japin përparësi rolit të edukimit dhe trajnimit të vazhdueshëm profesional. Këto sisteme duhet të sigurojnë qasje universale në kujdesin shëndetësor, në arsim, pensione të mjaftueshme, mbrojtje prej papunësisë dhe risqeve të tjera, si dhe ta zhvillojnë ekonominë në atë mënyrë që të mundësojë krijimin e vendeve të punës me cilësi të lartë dhe formësimin e një fuqie punëtore të mirëkualifikuar. Këto skema të mbrojtjes duhet të shtrihen te të gjithë punëtorët, përfshi ata në sektorin informal dhe të migrantëve, duke u garantuar të drejtat e tyre, sigurinë dhe qasjen në mbrojten sociale.

3. Të drejtat e punës: Qeveritë duhet të sigurojnë zbatimin dhe forcimin e ligjeve të punës, duke garantuar të drejtën e organizimit sindikal, negocimit kolektiv, si dhe promovimin e dialogut social gjithëpërfshirës. Kompanitë duhet të respektojnë të drejtat e punëtorëve, duke përfshirë të drejtën e organizimit dhe negocimit kolektiv. Kompanitë duhet të respektojnë dhe t’i japin përparësi mirëqenies së punonjësve të tyre, duke siguruar një mjedis pune të sigurt dhe gjithëpërshirës.

4. Politika Gjithëpërfshirëse të Punës: Duke njohur rëndësinë e adresimit të sfidave të punës – në lidhje me gjininë, të rinjtë, moshën, etninë dhe invaliditetin – qeveritë duhet të skicojnë dhe zbatojnë skema të mbrojtjes sociale gjithëpërfshirëse. Këto skema jo vetëm që duhet të mbrojnë të drejtat e të gjithë punëtorëve, por gjithashtu të trajtojnë çështje të tilla si pabarazia e pagave, mundësive të pabarabarta, si dhe pjesëmarrjen e personave me prejardhje diverse në tregun informal të punës. Ato duhet t’i japin përparësi qasjes universale në sistemin shëndetësor, arsimor dhe pensione të përshtatshme për të gjithë, duke garantuar barazi në akses dhe përfitime pavarësisht gjinisë, moshës apo prejardhjes etnike. Njerëzit me paaftësi duhet të kenë akomodim të përshtatshëm, mbrotje nga diskriminimi, dhe qasje në shërbimet e mbështetjes për të marrë pjesë në mënyrë të plotë në tregun e punës. Ngritja dhe mbajtja e këtyre të drejtave të punës për të gjithë, jo vetëm që nxit barazinë sociale por gjithashtu ushqen vende të punës përfshirëse dhe të larmishme, të cilat i sjellin përfitime mbarë shoqërisë.

5. Zhvilimi i Qëndrueshëm: Politikat dhe investimet duhet të kenë përparësi zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, me fokus në krijimin e vendeve të punës, inovacionit dhe ekonomisë së gjelbër. Kjo qasje duhet të ushqejë mundësitë për punë të denjë, të mbrojë të drejtat e punëtorëve dhe të sigurojë një tranzicion të drejtë kah një të ardhme të qëndrueshme.

6. Inovacioni dhe Teknologjia: Qeveritë duhet të zgjedhin për diversifikimin dhe demokratizimin e burimeve të dijes për të qenë në gjendje të përdorin teknologjinë për uljen e pabarazive sociale dhe ekonomike. Zhvillimi teknologjik duhet të jetë i përgjegjshëm dhe i drejtë në mënyrë që të shfrytëzohet për progres në kujdesin shëndetësor, mundësi të zgjeruara në edukim, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e ofrimit të përgjithshëm të shërbimeve sociale.

7. Qeverisja Demokratike dhe Pjesëmarrja: Ne bëjmë thirrje për qeverisje transparente dhe llogaridhënëse, duke nxitur pjesëmarrjen aktive të punëtorëve dhe shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse që formësojnë politikat e punës dhe sigurojnë drejtësi sociale. Qeveritë duhet t’i japin përparësi nevojave dhe zërit të qytetarëve karshi interesave të korporatave.

8. Bashkëpunimi Rajonal dhe Solidariteti: Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shtojnë bashkëpunimin rajonal duke ndarë praktikat më të mira, dijen dhe burimet, për të adresuar sfidat e përbashkëta në tregun e punës. Ne avokojmë për strategji të diversitetit ekonomik të cilat nxisin zhvillimin e qëndrueshëm dhe ulin varësinë nga investimet e huaja. Solidariteti rajonal mes punëtorëve, sindikatave dhe organizatave të shoqërisë civile është thelbësor në avancimin e punës së denjë anembanë rajonit.

Ne besojmë me vendosmëri se duke përqafuar këto qëndrime të përbashkëta dhe duke punuar bashkërisht, ne mund të ndërtojmë një rajon ku punëtorët të gëzojnë punën e denjë, dinjitet dhe drejtësi shoqërore. Ne ftojmë të gjitha grupet e interesit të na bashkohen në rrugëtimin për të krijuar një të ardhme më të ndritur për Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat e punës dhe mirëqenia sociale qëndrojnë në ballë të përpjekjes kolektive drejt progresit.

Shtator 2023

Signatures: