MALI I ZI
TREGUESIT E CILËSISË SË TË DREJTAVE TË PUNËTORËVE
Pavić Radović
- MUNDËSITË E PUNËSIMIT
1.1 Bazat ligjore të të drejtave të punëtorëve
Ligji i Punës i Malit të Zi u miratua më 23 dhjetor 2019 dhe është ligj kyç që rregullon fushën e punës dhe punësimit. Në atë kohë u miratuan rreth 40 rregulla të reja krahas ligjit të mëparshëm. Edhe pse u miratua në marrëveshje me partnerët socialë, disa kritika mbetën në seksion në lidhje me largimin e punëtorëve, gjë që tani e bëri më të lehtë për ta bërë një gjë të tillë. Ndryshimet më të mëdha kanë ndodhur në dhjetor të vitit 2021[1]. Ato lidheshin me rritjen e pagave: paga minimale u rrit nga €250 në €450 (kësisoji u rritën edhe pagat e tjera). Rritja ndodhi kryesisht për shkak të uljes së barrës tatimore dhe kontributeve, të cilat më pas u derdhën në fitimet neto. Ndryshimet më të fundit nga shtatori 2024[2] sollën edhe një rritje tjetër të pagës minimale: në një shumë neto prej €600 për ata që janë punësuar në pozita që kërkojnë diplomë nga shkolla e mesme, gjegjësisht €800 për ata që janë punësuar në vendet e punës me diplomë universitare ose më të lartë të kualifikimit arsimor. Koha e nevojshme për të nënshkruar kontratë të përhershme pune u zvogëlua gjithashtu nga 36 në 24 muaj.
Përveç Ligjit të Punës, të drejtat e punëtorëve rregullohen edhe me ligje të tjera: Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Aktin për Ndalimin e Diskriminimit, Aktin kundër Abuzimit në Punë, Aktin e Grevave, Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat për Personat Fizikë, Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor, Aktin për Sigurimin Pensional dhe të Paaftësisë, Ligjin për Fondin e Punës dhe Ligjin për Përfaqësimin e Sindikatave. Përveç ligjeve, ekzistojnë kontrata të përgjithshme, të degës dhe kolektive me punëdhënësit, të cilat parashikojnë mundësinë e përmirësimit të të drejtave të punëtorëve kundrejt ligjit amë. Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve është e mundur në tre nivele: te punëdhënësi fillestar, në Agjencinë e Zgjidhjes Paqësore të Kontesteve të Punës dhe Qendrën për Ndërmjetësim, si dhe në gjykatat kompetente.
1.2. Situata e përgjithshme në tregun e punës
Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore nga Zyra e Statistikave të Malit të Zi për tremujorin e parë të vitit 2024[3], statistikat ishin si më poshtë:
- Shkalla e aktivitetit ishte 8% (përqindja e popullsisë aktive të popullsisë totale të aftë për punë të së njëjtës grupmoshë);
- Shkalla e punësimit ishte 56% (përqindja e të punësuarve të popullsisë totale të aftë për punë të së njëjtës grupmoshë);
- Statistikat për punësimin joformal nuk janë në dispozicion;
- Shkalla e papunësisë ishte 9% (përqindja e të papunëve brenda numrit të përgjithshëm të popullsisë aktive të së njëjtës grupmoshë).
Numri i përgjithshëm i punëtorëve në tremujorin e parë të vitit 2024 ishte 280.500 persona të punësuar. Sipas të dhënave nga Ministria e Administratës Publike, në qershor 2024 kishte vetëm 53.680 të punësuar në sektorin publik, ndërsa pjesa tjetër ishin të punësuar në sektorin privat.
Ndarja sipas statusit të punësimit është si më poshtë: punëtorët e punësuar përbëjnë 81.7%, të vetëpunësuarit 17.0% dhe punëtorët familjarë 1.3%.
Sipas sektorëve të veprimtarisë, shihet se pjesa më e madhe e të punësuarve janë në sektorin e shërbimeve 76.6%, pastaj në sektorët e veprimtarive jobujqësore (industri dhe ndërtim) 19.1%, dhe në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit 4.3%. Në shifra: bujqësia 12,000 punëtorë, aktivitetet jobujqësore (industria përpunuese, ndërtimi dhe të tjera) 53,500 punëtorë dhe sektori i shërbimeve 215,000 punëtorë, nga të cilët shumica ishin të punësuar në tregti me shumicë dhe pakicë (51,500).
1.3. Çështje të tjera të rëndësishme që do të analizohen brenda kësaj njësie
Shkalla e papunësisë është ulur ndjeshëm në 5 vitet e fundit: nga 19.4% në tremujorin e parë të vitit 2019 në 11.9% në tremujorin e parë të vitit 2024[4]. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se sipas metodologjisë së Entit të Statistikave, statusi i personit të punësuar aplikohet për personat që kryejnë çfarëdo lloj pune të rregullt ose të zakonshme për pagesë ose fitim (në para, mallra ose shërbime) për të paktën një orë. Personat që paguhen në këmbim të trajnimit në vendin e punës (praktikantët) llogariten gjithashtu si të punësuar. Për më tepër, kjo përfshin punësimin joformal, edhe pse nuk ka statistika të ndara për punësimin joformal. Nga ana tjetër, shkalla e papunësisë aplikohet vetëm për ata persona që gjatë periudhës gjegjëse nuk kishin punë të paguar ose nuk ishin të vetëpunësuar, nuk kishin asnjë lloj pune të paguar dhe kërkonin në mënyrë aktive punë gjatë asaj periudhe. Në këtë kuptim, as statistikat nuk na japin ndonjë pasqyrë reale të punësimit apo papunësisë. Shkalla e papunësisë së të rinjve është ende e lartë dhe, sipas statistikave nga Zyra e Punësimit të Malit të Zi nga fundi i vitit 2023, ajo ishte 20%. Megjithatë, kjo është një statistikë që i mbulon vetëm ata që janë të regjistruar si të papunë. Hulumtime të tjera relevante (Qendra për Edukim Qytetar, Qendra për Gazetari Hulumtuese e Malit të Zi) nga kjo periudhë tregojnë se nga 142.000 të rinj në Mal të Zi, 84.000, domethënë 60%, janë të papunë (në kuptimin që nuk kanë asnjë lloj marrëdhënie pune).
- FITIMI ADEKUAT DHE PUNA PRODUKTIVE
2.1. Të dhënat themelore mbi fitimin
Të dhënat themelore për të ardhurat e punëtorëve janë si më poshtë:
- Paga minimale në Mal të Zi është përcaktuar me Ligjin e Punës të vitit 2021 në €450 neto (ndryshimet në Ligjin e Punës nga shtatori 2024 ka parashikuan pagë minimale të dyfishtë, e cila do të zbatohet nga nëntori, domethënë për llogaritjet e pagave të tetorit: shuma neto prej €600 për të punësuarit në vendet e punës me diplomë të shkollës së mesme, dhe €800 për ata të punësuar në pozita me diplomë universitare ose më të lartë të kualifikimit arsimor;
- Paga mesatare në tremujorin e IV të vitit 2023 ishte €1,067 (bruto), që është €851 (neto) sipas të dhënave nga Zyra e Statistikave[5];
- Paga mediane nuk është në dispozicion (zyra e statistikave nuk mund të llogarisë pagën mediane në bazë të metodave të tyre ekzistuese të kërkimit. Hulumtimi mujor mbi pagat konceptohet asisoji që njësitë raportuese dorëzojnë shumën totale të të gjitha pagave të paguara për punëtorët që kanë marrë pagë në një periudhë të caktuar referente, dhe për të llogaritur pagën mediane do t’u nevojiteshin të dhëna në nivel individual, gjegjësisht të dhëna për fitimet individuale të të gjithë punëtorëve);
- Raporti i pagës minimale me “pagën e jetesës” (e cila ishte €1,850 për tremujorin e IV të vitit 2023 sipas metodologjisë së Qendrës për Arsim, Informim dhe Hulumtime të Sindikatës së Bashkimit të Sindikatave të Lira të Malit të Zi[6]) në mars 2024 ishte 1:4.11 (paga minimale mbulon 24.32% të pagës së jetesës);
- Pagat më të mëdha mesatare neto në korrik 2024 ishin në sektorin e financave dhe sigurimeve (€1,312) dhe në sektorin e furnizimit me energji elektrike (€1,255); pagat më të ulëta ishin në sektorin e industrisë përpunuese (€688), sektorin e shërbimeve administrative dhe ndihmëse (€686) dhe në tregtinë me shumicë dhe pakicë (€726)[7].
2.2. Çështje të tjera të rëndësishme që do të analizohen brenda kësaj njësie
Kur bëhet fjalë për “pagën e jetesës” ose pagën që do të mbulonte shpenzimet e jetës, pasqyrat zyrtare statistikore përdorin kategorinë “shporta minimale e konsumatorit.” Kjo kategori e Zyrës së Statistikave të Malit të Zi i referohet shpenzimeve që një familje i bën për të përmbushur nevojat e veta minimale, të përcaktuara si vlera minimale e marrjes ditore të kalorive ushqyese, për person. Vlera e shportës minimale të konsumatorit për një familje me katër anëtarë përbëhet nga shpenzime të decilit të dytë, tretë dhe katërt të pjesës më të varfër të popullatës sipas nivelit të konsumit për kokë banori, dhe në dhjetor 2023 ishte €830[8]. Kjo shifër, pikërisht për shkak të metodologjisë së saj, nuk është përdorur si krahasim realist ekonomik i pagave dhe shpenzimeve realiste të jetesës.
Pagat mesatare në Mal të Zi janë rritur me gati 40% gjatë 5 viteve të fundit (dhjetor 2019 – €520; korrik 2024 – €851). Megjithatë për shkak të shkallës së lartë të inflacionit që ndodhi gjithashtu në periudhën e njëjtë, fuqia blerëse nuk u rrit në mënyrë ekuivalente.
- ORARI I DENJË I PUNËS
3.1. Të dhënat themelore për orarin e punës
Sipas Ligjit të Punës të Malit të Zi:
- Kohëzgjatja maksimale ligjore e punës me orar të plotë: 40 orë pune (pa përfshirë punën jashtë orarit);
- Orari mesatar i punës (të dhënat e Eurostatit për vitin 2023): 42.8 orë pune javore;
- Kohëzgjatja maksimale e punës jashtë orarit: 10 orë në javë, 250 orë në vit;
- Kohëzgjatja maksimale ligjore e orarit të punës kur rishpërndahet orari i punës: 54 orë, gjegjësisht 60 orë në javë në pozita sezonale, por koha mesatare e shpenzuar e një punëtori brenda vitit kalendarik nuk duhet të tejkalojë 40 orë në javë;
- Kohëzgjatja minimale e pushimit ditor: 12 orë pa ndërprerje;
- Kohëzgjatja minimale e pushimit javor: 24 orë pa ndërprerje;
- Kohëzgjatja minimale e pushimit vjetor është 20 ditë pune.
3.2. Informata shtesë rreth orarin e punës
Ligji i Punës përmend arsyet e parashikuara për zbatimin e punës jashtë orarit (në rastin e rritjes së papritur të vëllimit të punës, në rastin e forcës madhore, dhe në raste të tjera të jashtëzakonshme), metodat dhe procedurat për zbatimin e saj dhe kohëzgjatjen e saj. Përjashtim bëjnë shërbimet e rëndësisë së veçantë, siç janë institucionet shëndetësore, Forcat e Armatosura të Malit të Zi dhe organet për zbatimin e sanksioneve penale, të cilat rregullojnë orarin e punës, përfshirë edhe orët jashtë orarit, në përputhje me nevojat e tyre.
Ligji i Punës përmend arsye të përcaktuara për zbatimin e rishpërndarjes së orëve të punës (kur kjo nevojitet për shkak të natyrës së veprimtarisë, për organizimin e punës, përdorimin më të mirë të veglave të punës, përdorimin më racional të kohës së punës dhe përmbushjen e detyrave të caktuara brenda afateve të përcaktuara).
Koha jashtë orarit, sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, paguhet 40% më shumë se paga bazë[9].
- STABILITETI DHE SIGURIA NË PUNË
4.1. Informata rreth stabilitetit të punës
Sipas të dhënave nga Zyra e Statistikave e Malit të Zi:
- 6% e punëtorëve në Malin e Zi, në tremujorin e parë të vitit 2024, kishin kontratë pune me afat të pacaktuar;
- 4% e punëtorëve në Mal të Zi, në tremujorin e parë të vitit 2024, kishin kontratë pune me afat të caktuar;
- Që nga viti 2020, nuk ka statistika për numrin e punëtorëve të punësuar përmes agjencive.
Kontratat me afat të caktuar rregullohen me Ligjin e Punës:
- Kohëzgjatja maksimale që kjo lloj kontrate mund të zgjasë është zvogëluar gjatë ndryshimeve të fundit në Ligjin e Punës në vitin 2024 nga maksimumi 36 muaj në maksimum 24 muaj, me përjashtime të parashikuara kur bëhet fjalë për zëvendësimin e një punëtori që mungon përkohësisht, kryerjen e punëve sezonale dhe punën në projekt individual derisa të përfundojë ai projekt;
- Ligji i Punës parashikon që, në parim, kontratat e punës lidhen me afat të pacaktuar, ndërsa kontratat e punës me afat të caktuar mund të nënshkruhen vetëm si përjashtim, kur pika përfundimtare e saj është dakorduar paraprakisht me afat, për plotësimin e ndonjë pozite të caktuar, ose përfundimin e një ngjarjeje të caktuar;
- Ekzistojnë mundësitë e lidhjes së disa kontratave të njëpasnjëshme me afat të caktuar (nuk ka kufi) ku Ligji i Punës rregullon që kohëzgjatja totale e tyre, në mënyrë të vazhdueshme ose me pushime, nuk mund të jetë më e gjatë se 24 muaj.
4.2. Informata rreth sigurisë në punë
Ligji i Punës i Malit të Zi:
- Përcakton arsyet që mund të jenë bazë për shkëputjen e një kontrate pune (si në rastin e shkëputjes kolektive, ashtu edhe në situatat e shkëputjes individuale);
- Përcakton procedurën e ndërprejes së kontratës së punës, me anë të së cilës në rastin e shkëputjes së kontratës individuale me punëmarrësin, punëdhënësi mund të shkëpusë kontratën pa kryer procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë, nëse ekzistojnë shkaqe të vlefshme që përcaktohen me ligj.
Një periudhë e detyrueshme njoftimi prej të paktën 30 ditësh nga dita e dhënies së njoftimit për ndërprerjen e kontratës së punës parashikohet si e drejtë dhe detyrim, me anë të të cilit parashikohen edhe përjashtime kur ajo periudhë njoftimi nuk ka nevojë të përmbushet nga ana e punëmarrësit si dhe nga ana e punëdhënësit. Nëse punëmarrësi pushon së punuari përpara përfundimit të periudhës së njoftimit me kërkesë të punëdhënësit, ai ka të drejtën e kompensimit të të ardhurave dhe të drejta të tjera sipas punës, sikur të kishte punuar deri në fund të periudhës së njoftimit.
Kompensimi për ndërprerje të kontratës garantohet në situatat kur nuk ka më nevojë për punën e të punësuarit, edhe pse vetëm ata që kanë qenë të punësuar nga ai punëdhënës për të paktën 18 muaj kanë të drejtë për këtë. Kompensimi nuk mund të jetë më i ulët se tre paga mesatare mujore pa taksa dhe kontribute, të fituara tek ai punëdhënës në gjashtëmujorin paraprak, gjegjësisht paga mesatare mujore në Mal të Zi pa taksa dhe kontribute në gjashtëmujorin paraprak, nëse kjo është më e favorshme për punëmarrësin. Shumat më të mëdha të kompensimit mund të përcaktohen përmes marrëveshjeve kolektive të degëve, marrëveshjeve kolektive me punëdhënësin ose përmes marrëveshjes për punësim.
Në rastin e ndërprerjes, të gjithë punëmarrësit kanë të drejtën e pagave të detyruara dhe të papaguara dhe të drejta të tjera të fituara gjatë punës, dhe punëmarrësit mund të kenë edhe të drejta të tjera, në varësi të mënyrës së ndërprerjes së marrëdhënies së punës.
Sigurimi (shëndetësor, etj.) në rast të papunësisë sigurohet përmes Zyrës së Punësimit në përputhje me Aktin për Punësimin dhe Ushtrimin e të Drejtave në lidhje me Sigurimin e Papunësisë. Të drejtat për kompensim financiar sigurohen nga personat e siguruar të cilët para përfundimit të marrëdhënies së punës kishin siguruar statusin për të paktën 12 muaj të vazhdueshëm, ose për 18 muajt e fundit me ndërprerje, dhe marrëdhënia e punës e të cilëve u ndërpre pa pëlqimin ose fajin e tyre.
4.3. Çështje të tjera të rëndësishme që do të analizohen brenda kësaj njësie
Edhe pse ligji parashikon që kontrata e punës duhet të lidhet si rregull për afat të pacaktuar, në praktikë situata është ndryshe, dhe në fillim të marrëdhënies së punës, punëtorët më së shpeshti nënshkruajnë kontratë pune me afat të caktuar. Kjo praktikë është e pranishme si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat dhe përdoret për aq kohë sa mund të zgjasë. Një tendencë negative gjatë viteve të fundit që është e pranishme në sektorin publik është nënshkrimi i kontratave për shërbime (kontratat që nuk inicojnë marrëdhënie pune dhe përcaktohen me Ligjin për Detyrimet). Nuk ka statistika të sakta për numrin e tyre, por sipas të dhënave për shpenzimet buxhetore, ky zë është rritur me dy herë e gjysmë gjatë 5 viteve të fundit (2019 – 8.7 milionë; 2024 – 20.83 milionë)[10]. Kjo tregon se kontratat për shërbime shpesh lidhen me pozitat që janë sistematizuar me Aktin e Sistematizimit të Pozitave të Punës, duke e bërë këtë lloj kontrate të paligjshme.
- MUNDËSITË DHE TRAJTIMI I BARABARTË
5.1. Informata rreth sistemit kombëtar kundër diskriminimit
Politikat kundër diskriminimit në Mal të Zi rregullohen fillimisht me Kushtetutë, dhe më pas me ligje sipas sektorit. Akti për Ndalimin e Diskriminimit (ndryshimi i fundit në vitin 2017), i cili përcakton juridiksionet e organeve të ndryshme dhe përgjigjet në rast të shkeljes së ligjit, është kryesori. Akti për Ndalimin e Diskriminimit është ligji themelor i cili përcakton diskriminimin dhe përcakton masat për parandalimin e diskriminimit në bazë të karakteristikave të ndryshme personale, duke përfshirë gjininë, identitetin etnik, fenë, orientimin seksual, invaliditetin, etj.
Ligji i Punës rregullon antidiskriminimin në fushën e punës dhe punësimit, duke përfshirë të drejtat e punëmarrësve për trajtim të barabartë kur bëhet fjalë për punësimin, ngritjet në detyrë, kushtet e punës dhe pushimin nga puna. Akti i Barazisë Gjinore në veçanti mbulon çështjen e diskriminimit në bazë të gjinisë dhe promovon barazinë mes burrave dhe grave. Akti Kundër Diskriminimit të Personave me Invaliditet përfshin masa që zbatohen për mbrojtjen e personave me invaliditet nga diskriminimi në fusha të ndryshme, përfshirë punësimin, arsimin dhe qasjen në shërbimet publike. Të gjitha këto ligje brenda kornizave të tyre përcaktojnë juridiksionin e organeve udhëheqëse dhe gjykatave në rastin e diskriminimit, si dhe vetë proceset ligjore. Pas Aktit për Avokatin e Popullit të vitit 2011 është themeluar Zyra e Mbrojtësit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (Avokati i Popullit), me të cilën – si mekanizëm i veçantë – është krijuar mundësia e inicimit të procedurës për mbrojtjen nga diskriminimi.
Përveç këtyre ligjeve, Mali i Zi është nënshkrues i kontratave dhe konventave ndërkombëtare që rregullojnë antidiskriminimin, siç janë Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW).
5.2 Informata rreth sistemit kombëtar të barazisë gjinore
Diskriminimi në bazë të gjinisë ose roleve gjinore është i ndaluar në Mal të Zi, dhe kjo rregullohet me Ligjin për Ndalimin e Diskriminimit dhe Aktin për Barazinë Gjinore. Ligji i Punës i ndalon punëdhënësit të kërkojnë informata mbi statusin familjar ose martesor dhe planifikimin familjar, si dhe të kërkojnë dorëzimin e dokumenteve ose provave të tjera që nuk janë të rëndësisë së menjëhershme për përmbushjen e detyrave për të cilat po krijohet marrëdhënia e punës.
Në Mal të Zi baballarët kanë të drejtë për pushim prindëror, i cili rregullohet me Ligjin e Punës. Pushimi prindëror mund të përdoret deri në 1 vit nga dita e lindjes së fëmijës. Të dy prindërit kanë të drejtë ta përdorin atë në pjesë të barabarta, por është gjithashtu e mundur që pushimi prindëror të bartet nga një prind në tjetrin, pas 30 ditësh nga fillimi i saj. Përveç kësaj, prindi i punësuar ka të drejtë të përdorë pushimin prindëror edhe nëse njëri prind është i papunë.
5.3. Informata rreth efekteve të sistemit kundër diskriminimit
Sipas të dhënave nga Zyra e Statistikave e Malit të Zi për tremujorin e parë të vitit 2024, nga numri i përgjithshëm i popullsisë aktive të punës 56.7% janë burra, dhe 43.3% janë gra, gjë që krijon hendek gjinor prej 13.4 pikë përqindjeje. Përveç kësaj, nga numri i përgjithshëm i të punësuarve, 57.7% janë burra dhe 42.3% janë gra, duke krijuar hendek gjinor prej 15.4 pikë përqindjeje.
Parimi “paga e barabartë për punë të barabartë” përcaktohet me Ligjin e Punës të Malit të Zi. Paga e barabartë përcaktohet asisoji që punëmarrësit i garantohet pagë e barabartë për të njëjtën punë ose punë me të njëjtën vlerë, ku puna me të njëjtën vlerë nënkuptohet të jetë punë që kërkon të njëjtin nivel kualifikimesh arsimore, gjegjësisht kualifikimin profesional, përgjegjësinë, aftësinë, kushtet e punës dhe rezultatet e punës. Megjithatë, sipas një studimi nga Zyra e Statistikave të quajtur “Indeksi i Barazisë Gjinore”[11] nga korriku 2023, hendeku i pagave është 13.9%, që do të thotë se gratë fitojnë vetëm 86.1% të pagës mesatare që u paguhet burrave për të njëjtën punë.
5.4. Çështje të tjera të rëndësishme që do të analizohen brenda kësaj njësie
Edhe me një bazë të mirë ligjore në fushën e politikave antidiskriminuese, diskriminimi është ende i pranishëm në fushën e punës dhe punësimit. Sipas statistikave nga studimi i lartpërmendur, praktikat e punës karakterizohen nga qasja e kufizuar e grave në pozitat menaxhuese ose udhëheqëse. Edhe pse më shumë kanë diploma universitare sesa burra, gratë vazhdojnë të jenë të përqendruara në punë me paga më të ulëta. Sipas studimeve të fundit[12] të OJQ-së CEDEM nga viti 2023, personat me invaliditet diskriminohen më së shumti në fushën e punës dhe punësimit. Në raportin e vitit 2023 për veprimtarinë[13] e vet, Avokati i Popullit i Malit të Zi thotë se nga 243 raporte diskriminimi, 122 sosh – e që është më shumë se gjysma – kanë të bëjnë me fushën e punës dhe punësimit.
- MJEDISI I SIGURTË I PUNËS
6.1. Treguesit e ofrimit të masave adekuate për mbrojtjen dhe sigurinë e punëtorëve
- Nuk ka të dhëna për numrin e punëtorëve të vdekur në baza vjetore;
- Nuk ka të dhëna për numrin e lëndimeve të rënda trupore të punëtorëve në baza vjetore;
- Nuk ka të dhëna për numrin e punëtorëve të lënduar për 100,000 punëtorë (të dhëna vjetore);
- Nuk ka të dhëna për numrin e lëndimeve të rënda trupore për 100,000 punëtorë (të dhëna vjetore);
- Gjithsej ka 36 inspektorë të punës dhe 10 inspektorë të shëndetit dhe sigurisë në punë, e që janë 1.28 inspektorë të punës për 10,000 punëtorë dhe 0.35 inspektorë të shëndetit dhe sigurisë në punë për 10,000 punëtorë[14].
Nuk ka statistika zyrtare për pikat e lartpërmendura nga viti 2020 e tutje. Të dhënat nga Administrata e Çështjeve të Inspektimit nga viti 2022[15], të cilat përmendin 6 lëndime vdekjeprurëse, 14 lëndime të rënda dhe 2 lëndime kolektive në vendin e punës, nuk konsiderohen relevante, duke marrë parasysh se këto janë vetëm situata kur Inspektorati ka vepruar në përgjigje të një raporti. Deri në përfundim të këtij raporti nuk kemi mundur të sigurojmë numrin e inspektorëve të punës të punësuar në Administratën e Çështjeve të Inspektimit.
E drejta për pushim të paguar mjekësor rregullohet kryesisht me Ligjin e Punës të Malit të Zi, dhe definohet më hollësisht me Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor dhe rregulloret përkatëse. E drejta për pushim mjekësor të paguar fitohet nga punëtorët që kanë marrëdhënie pune (me afat të caktuar ose të pacaktuar). Pushimi mjekësor me kohëzgjatje prej 30 ditësh jepet nga mjeku primar, dhe mbi 30 ditë nga një Komision Mjekësor. Punëmarrësi është i detyruar të dorëzojë vërtetim nga mjeku, jo më vonë se tre ditë nga dita që ishte përkohësisht i paaftë për punë, personalisht ose nëpërmjet një pale të tretë, dhe një raport për paaftësinë e përkohshme për punë duhet të dorëzohet me një afat prej pesë ditësh nga dita e përgatitjes së raportit. Ligji parashikon që kompensimi gjatë kohëzgjatjes së pushimit mjekësor nuk mund të jetë më i ulët se 70% e pagës mesatare të punëtorit për vitin e kaluar, dhe paguhet më shpesh. Megjithatë, ka marrëveshje kolektive, siç është Marrëveshja Kolektive për Fushën e Administrimit dhe Drejtësisë[16], ku është arritur një kompensim më i favorshëm në nivelin 90% të pagës, gjë që lejohet me ligj. Në rastet e disa sëmundjeve dhe kushteve shëndetësore (të përmendura në mënyrë taksative në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor) kompensimi është 100%.
Nëse punëdhënësi dyshon për vlefshmërinë e arsyes së mungesës në punë, ai mund t’i paraqesë kërkesë organit të autorizuar për të rishqyrtuar paaftësinë e përkohshme për punë, në përputhje me rregulloret për sigurimin shëndetësor. Në vitet e mëparshme, ky proces i rishikimit nuk është zgjidhur në mënyrë adekuate. Nëpërmjet ndryshimeve[17] të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor në vitin 2021 janë krijuar dy komisione vlerësuese. Në mars të vitit 2024 Qeveria e Malit të Zi, me sugjerimin e Ministrisë së Shëndetësisë, formoi Komisionin Kombëtar për Kontrollin e Paaftësisë së Përkohshme për Punë.
6.2. Rregullimi i sistemit të shëndetit dhe sigurisë në punë
Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë[18] është shumë i detajuar. Ekzistojnë mekanizma të brendshëm dhe të jashtëm të përcaktuar qartë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në lidhje me shëndetin dhe sigurinë në punë. Punëtori që konsideron se siguria, jeta ose shëndeti i tij janë në rrezik, gjegjësisht që masat e mbrojtjes në punë nuk respektohen, ka të drejtë të refuzojë të punojë në ato kushte dhe të largohet nga vendi i punës.
Inspektorati i Punës, gjegjësisht inspektorati i shëndetit dhe sigurisë në punë, është një nga mekanizmat e jashtëm për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve në këtë fushë. Inspektorati i Punës mund të ndalojë procesin e punës në një vend të caktuar pune, në një mjedis të caktuar pune, ose të një punëdhënësi në tërësi, nëse besojnë se ka rrezik për jetën ose shëndetin e punëtorëve ose të palëve të treta.
6.3. Çështje të tjera të rëndësishme që do të analizohen brenda kësaj njësie
Edhe pse ligji dhe shumë rregullore për shëndetin dhe sigurinë në punë në fusha të ndryshme janë zhvilluar në hollësi, ato nuk po zbatohen. Nuk ka statistika zyrtare për numrin e vdekjeve dhe lëndimeve në punë, si dhe nuk ka statistika zyrtare për numrin e dënimeve nga inspektorati për këto çështje.
7.1. Shuma adekuate e pensioneve të punëtorëve
Sipas statistikave në dispozicion, mund të bëhen krahasimet e mëposhtme:
- Shuma minimale e pensionit nga janari 2024 është €450;
- Pensioni mesatar në fund të tremujorit të parë të vitit 2024 është €488.48[19];
- Shuma mediane e pensionit nuk është në dispozicion;
- Raporti i pensionit minimal me “pagën e jetesës” në tremujorin e parë të vitit 2024 është 1:4.11 (pensioni minimal mbulonte 24.32% të pagës së jetesës[20]), ndërsa me shportën minimale të konsumatorit të Zyrës së Statistikave[21] (€830) është 1:1.84 (pensioni minimal mbulonte 54.21% të shportës minimale të konsumit);
- Raporti i pensionit mesatar me “pagën e jetesës” në tremujorin 1 të vitit 2024 është 1:3.78 (pensioni mesatar mbulonte 26.4% të pagës së jetesës), ndërsa me shportën minimale të konsumatorit të Zyrës së Statistikave (€830) është 1:1.69 (pensioni mesatar mbulonte 58.85% të shportës minimale të konsumit);
- Numri i pensionistëve të punësuar në janar 2023 ishte 3,139[22];
- Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të moshuarve që kanë arritur në fund të periudhës së tyre të punës dhe nuk kanë përmbushur të drejtat e tyre për asnjë lloj pensioni.
7.2. Çështje të tjera të rëndësishme që do të analizohen brenda kësaj njësie
Punëtori fiton të drejtën e pensionit të pleqërisë kur mbush moshën 65 vjeç dhe ka të paktën 15 vjet kontribute sigurimi. Ju mund të merrni një pension pleqërie kur të keni punuar për 40 vjet dhe të keni mbushur moshën 61 vjeç. E drejta për pension pleqërie grumbullohet pas përfundimit të 40 viteve të plota të punës (duke përjashtuar përvojën e punës beneficiare), pavarësisht nga mosha.
Akti kontroverz për Sigurimin Pensional dhe Invalidor[23] i dhjetorit 2023 e ngriti pensionin minimal nga niveli i mëparshëm prej €290 në nivelin minimal prej €450. Megjithatë, pensionet e tjera nuk u rritën në raport me këtë rritje: as ato mes €290 dhe €450, as ato mbi €450. Besohet se ky është një rast diskriminimi ndaj atyre që më parë kishin pensione mbi nivelin minimal, pra ata që ishin më në moshë, duke marrë parasysh se tani janë të barabartë. Përveç kësaj, kjo rritje nuk zbatohej për ata që marrin të ashtuquajturin “pension proporcional” – pensionet e qytetarëve që arritën moshën e tyre në Mal të Zi dhe në ndonjë vend tjetër, zakonisht në republikat e tjera ish-jugosllave. Përvoja e tyre e punës shtohet dhe secili vend paguan shumën për punë në territorin e tij. Një pjesë e pensionistëve me pensione proporcionale në Malin e Zi aktualisht marrin nga €50 deri në €250, ndërsa rritja[24] e pensioneve të tyre do të shpallet në vitin 2025.
I ashtuquajturi pensioni i pleqërisë si ekuivalent i pensionit bujqësor për njerëzit, domethënë mbajtësit e shtëpive rurale që nuk kanë pasur kurrë përvojë pune zyrtare, sipas Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Malit të Zi[25] arrin në 70% të pensionit më të ulët në Mal të Zi, gjegjësisht, pensioni i pleqërisë arrin në €315.
8.1. Të dhënat themelore mbi efektet e dialogut social dhe negocimit kolektiv
- Nuk ka të dhëna për shkallën e sindikalizimit të punëtorëve (shkalla e dendësisë së sindikatave), megjithëse është e rëndësishme të theksohet se numri i anëtarëve të sindikatave po bie vazhdimisht me rënien e fuqisë sindikale në nivel shoqërie;
- Shkalla e mbulimit të marrëveshjeve kolektive (kombëtare) – Të gjithë punëtorët në Mal të Zi mbulohen nga një marrëveshje e përgjithshme kolektive. Numri ose përqindja e marrëveshjeve të degëve dhe përqindja e mbulimit të punëtorëve është e paqartë, sikurse edhe numri/përqindja e marrëveshjeve kolektive në nivel të punëdhënësit;
- Ka dy federata sindikale në nivel kombëtar dhe të dy janë anëtarë të Këshillit Social, i cili krijohet në baza trepalëshe dhe përbëhet nga përfaqësues të Qeverisë, organizatave përfaqësuese sindikale dhe shoqatës përfaqësuese të punëdhënësve[26].
8.2. Informata shtesë mbi negocimin e dialogut social
- Mali i Zi ka një Këshill Social të përhershëm në nivel kombëtar. Ky është një organ trepalësh i përbërë nga delegatë të Qeverisë, delegatë të shoqatës përfaqësuese të punëdhënësve dhe delegatë të dy qendrave sindikale përfaqësuese;
- Dihet se ekziston një Këshill Social i kryeqytetit, Podgoricës, dhe të 5 komunave në Mal të Zi;
- Ekziston një marrëveshje e përgjithshme kolektive;
- Nuk dihet nëse ekzistojnë trupa të tjerë dypalësh ose trepalësh;
- Punëdhënësit e huaj nuk kanë delegatët e tyre të drejtpërdrejtë, por përfshihen në negocimet kolektive si anëtarë të shoqatave përfaqësuese të punëdhënësve.
8.3. Çështje të tjera të rëndësishme që do të analizohen brenda kësaj njësie
Edhe pse mendimi i përhapur thotë se vendimet për të drejtat ekonomike dhe sociale merren me të vërtetë nga Qeveria dhe disa punëdhënës me ndikim, duke parë të drejtën normative, shumë të drejta sociale në Mal të Zi janë ruajtur në pjesë të madhe. Arsyeja prapa kësaj mund të gjendet edhe në faktin se çdo i pesti qytetar është i punësuar në sektorin publik, por edhe se një numër i madh i punëdhënësve privatë varen nga kontratat me qeverinë. Dialogu social zhvillohet në nivelin e Këshillit Social, i cili është aktiv kryesisht rreth disa çështjeve më të rëndësishme siç është zbatimi i Ligjit të Punës. Kohët e fundit legjitimiteti i tij është kontestuar nga shoqatat e reja të punëdhënësve malazezë, të cilët kundërshtojnë përfaqësueshmërinë e atij ekzistues dhe po kërkojnë rishikimin e tij. Ekzistojnë probleme serioze me funksionimin e dialogut social.
Nga dy federatat sindikale, njëra – më e vjetra, pothuajse gjithmonë përputhet me politikën e Qeverisë. Tjetra, më e vogël, por më aktive në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, shumë shpesh nuk është e tillë dhe përpiqet të ndikojë në ndryshimin e atyre politikave – me sukses të përzier. Ajo që është e qartë është se numri i anëtarëve të sindikatës po bie dhe se të rinjtë nuk kanë prirje për aktivitete sindikale. Një nga arsyet prapa kësaj është fakti se në Mal të Zi 99% e bizneseve janë biznese të vogla dhe mikro biznese ku organizimi i sindikatave është i pamundur. Edhe pse puna e sindikatave zakonisht është e papenguar, çdo përpjekje për organizim më serioz të sindikatave bllokohet me të gjitha metodat, në të cilat shteti merr rolin kryesor. Shembujt më të fundit ndodhën me Sindikatën e Arsimit në vitin 2023, kur të gjitha forcat kundërshtuan grevën e tyre legjitime, dhe veprimet e Sindikatës së Pavarur të Policisë, presidenti i së cilës ka vuajtur presion të madh gjatë viteve të fundit për shkak të punës së tij. Për sa i përket negocimit kolektiv, pasi kalojmë nga niveli më i lartë në atë më të ulët, megjithëse përshtatja e marrëveshjes kolektive është e detyrueshme me ligj, ajo rrallë përshtatet në praktikë.
Production of this document was supported by Rosa Luxemburg Stiftung Southeast Europe with funds of the German Federal Foreign Office. This publication or parts of it can be used by others for free as long as they provide a proper reference to the original publication. The content of the publication is the sole responsibility of the Centre for the Politics of Emancipation and does not necessarily reflect a position of RLS.
[1]Ligji për Ndryshimet e Ligjit të Punës, “Gazeta Zyrtare e Malit të Zi,” nr. 145/21, 31.12.2021, https://www.gov.me/dokumenta/e2671f8f-937e-42a2-a7ad-31522b5554ea
[2]Ligji i Punës, “Gazeta Zyrtare e Malit të Zi,” nr. 086/24, 10.09.2024, https://www.gov.me/dokumenta/adf2208f-f45a-4cdc-8b21-db7db1978119
[3]Anketa e Fuqisë Punëtore për tremujorin 1 të vitit 2024, Zyra e Statistikave e Malit të Zi, https://www.monstat.org/cg/page.php?id=2198&pageid=22
[4]Anketa e Fuqisë Punëtore për tremujorin 1 të vitit 2024, Zyra e Statistikave e Malit të Zi, https://www.monstat.org/cg/page.php?id=2198&pageid=22
[5]Pagat mesatare – Enti i Statistikave të Malit të Zi, https://www.monstat.org/cg/page.php?id=2177&pageid=24
[6] Shih: https://ceisi.me/statistika/
[7]Pagat mesatare – Enti i Statistikave të Malit të Zi, https://www.monstat.org/cg/page.php?id=2177&pageid=24
[8]Shporta minimale e konsumatorit, Zyra e Statistikave të Malit të Zi, https://www.monstat.org/cg/page.php?id=2073&pageid=31
[9]Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, “Gazeta Zyrtare e Malit të Zi,” nr. 150/22, 30.12.2022, https://www.gov.me/dokumenta/503bdde3-a3d5-4f7d-a7eb-8240a1e71255
[10] Shih: https://standard.co.me/ekonomija/milioni-za-ugovore-o-djelu-moguce-zloupotrebe
[11]Indeksi i barazisë gjinore në Mal të Zi, Podgoricë, korrik 2023 https://www.monstat.org/uploads/files/Mediji/Indeks%20rodne%20ravnopravnosti%20MNE%20(2)_25.7.pdf
[12] Pozita dhe diskriminimi i personave me invaliditet në Mal të Zi, Podgoricë, tetor 2023. https://www.cedem.me/wp-content/uploads/2023/12/Izvestaj-diskriminacija-osoba-sa-invaliditetom.pdf
[13]Avokati i Popullit i Malit të Zi, Raport mbi Aktivitetet e vitit 2023 Podgoricë, mars 2024. https://www.ombudsman.co.me/docs/1715154847_finalizvjestaj_29042024%20_zastitnik.pdf
[14]Sipas Raportit të Veprimtarisë së Administratës së Çështjeve të Inspektimit për vitin 2022, https://www.gov.me/dokumenta/80a07d23-659d-454f-b219-766b642ff224
[15]Raport mbi aktivitetet e Administratës së Çështjeve të Inspektimit për vitin 2022, https://www.gov.me/dokumenta/80a07d23-659d-454f-b219-766b642ff224
[16]Marreveshje kolektive e degës ne fushën e administrimit dhe drejtësisë, https://sindupcg.me/granski-kolektivni-ugovor-za-oblast-uprave-i-pravosudja-2/
[17]Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor në Mal të Zi, nr. 145/21, 31.12.2021, https://www.gov.me/dokumenta/4cfecb11-3771-4382-8af7-39124295e3d1
[18]Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, “Gazeta Zyrtare e Malit të Zi”, 044/18 datë 06.07.2018. https://www.gov.me/dokumenta/a6a538b0-4884-45fc-8ab8-2240af84c805
[19]Numri i përdoruesve të pensioneve dhe pensioneve mesatare në Mal të Zi sipas llojit dhe komunës, fondi PIO, https://www.fondpio.me/statistika/
[20]Living wage was € 1,850 according to calculation of the Trade union consumer basket, https://ceisi.me/sindikalna-potrosacka-korpa-biljezi-rast-u-i-kvartalu-2024/
[21]Minimal consumer basket estimated € 830 for 2023, Statistical Office of Montenegro, https://www.monstat.org/cg/page.php?id=2073&pageid=31
[22]Statistics of the Pension and Disability Insurance Fund of Montenegro: https://rtcg.me/vijesti/ekonomija/397463/pod-kojim-uslovima-se-moze-raditi-i-nakon-odlaska-u-penziju-.html
[23]Akti i Sigurimit Pensional dhe Invalidor, “Gazeta Zyrtare e Malit të Zi,” nr. 125/23, 31.12.2023 file:///C:/Users/desktop/Downloads/Zakon-o-penzijskom-i-invalidskom-osiguranju%20(1).pdf
[24] Shih: https://www.slobodnaevropa.org/a/crna-gora-vlada-srazmjerne-penzije-uvecanje/32965689.html
[25]Ligji për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural i Malit të Zi, “Gazeta Zyrtare e Malit të Zi” 59/2021, https://wapi.gov.me/download-preview/2c7cc916-9aeb-411e-abfb-3a05398500d9?version=1.0
[26]Këshilli Social i Malit të Zi, https://www.socsav.me/tripartitni-dijalog/